Hulumtimi i ri i shkencëtarëve nga Tajvani tregon se apnea rrit rrezikun nga osteoporoza, sidomos në mesin e grave dhe të moshuarve.
Apnea shkakton një ndërprerje të shkurtër të frymëmarrjes në mënyrë të përsëritur gjatë natës, ndërsa studimet e mëparshme kanë treguar se rrit rrezikun nga sulmi në tru dhe në zemër, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti i tipit 2 dhe trashësia.
Shkencëtarët kanë studiuar shëndetin e 1.377 pjesëmarrësve, derisa disave iu diagnostikua apnea. Në një periudhë prej gjashtë vjetësh, ata kanë përcjellë se si ndryshon shëndeti i eshtrave të tyre.
Ata zbuluan se osteoporoza është madje 2.7 herë më e shpeshtë në mesin e personave që vuajnë nga apnea, në krahasim me ata që nuk vuajnë nga apnea.
“Apnea e patrajtuar mund ta dëmtojë shëndetin e shumicës së sistemeve të trupit, duke përfshirë sistemin skeletor”, tha një nga drejtuesit e hulumtimit, dr. Kai-Jen Tien.
Apnea shkakton mungesën e oksigjenit në trup. Kjo mund t’i dobësojë eshtrat dhe ta rrisë rrezikun nga osteoporoza. Gjendja e patrajtuar mund të shkaktojë fraktura të eshtrave dhe ta reduktojë ndjeshëm cilësinë e jetës.
Shkencëtarët, gjetjet e të cilëve janë publikuar në “Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”, theksojnë se duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje ndikimit të apnesë në shëndetin e përgjithshëm.
Apnea është e vështirë për t’u diagnostikuar, sepse ajo ndodh kur personi fle. Nëse dyshoni se vuani nga apnea, gjithsesi konsultohuni me mjekun.