Diçka e madhe po vjen. Kohët e fundit janë shpeshtuar sulmet e eksponetëve të partisë në pushtet ndaj Ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.
Fillimisht shefja e grupit parlamentar të këtij subjekti hodhi akuza për të se ka pasur plane për ndarje të Kosovës.
Ndërkohë, një përfaqësues tjetër i kësaj partie pohoi se ka qenë protesta e shkurtit të vitit 2007 që e ka përshpejtuar shpalljen e pavarësisë. Por, mjerisht kjo deklaratë e këtij akti u lexua nga njeriu i gabur.
Ndërkaq, nuk pat ndonje reagim nga zyrtarët e PDK-së ndaj këtyre sulmeve. Dominoi një heshtje mortore në të dy rastet.
I vetmi reagim që u dallua ishte ai i të birit të ish-liderit të PDK-së. Me një postim në mediat sociale ai iu kundërvu këtij interpretimi. Apologji kjo që më shumë kishte karakter privat dhe familjar sesa politik dhe historik.
Megjithëse nuk përjashtohet mundësia që kjo mbrojtje mund të jetë e motivuar edhe nga kalkulimi për ta krijuar shtratin për katapultim në strukturat e partisë për ish-trashëgimtarin biologjik të themeluesit të këtij formacioni, me arsytimin për ta preservuar si duhet trashëgiminë historike të këtij të fundit.
Secili prej këtyre varianteve do të ishte njëlloj me pasoja jo të mira për PDK-në. I pari krijon përshtypje se mbrotja e Hashim Thaçit është tash e tutje kauzë private, kurse i dyti ka gjasa, nuk po them domosdoshmërisht, ta prodhonte prototipin Ukë Rugova 2.