Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, në mbledhjen e pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, ka kërkuar nga partitë politike që të punojnë për të arritur konsensus për çështjet e mëdha.
“Partitë politike duhet të punojnë për konsensus për çështje kyçe dhe kryesore të Kosovës. Përdorimi i procedurave parlamentare duhet bërë, e jo konkurrenca. Në Kosovë duhet parë interesi i përbashkët i qytetarëve dhe partive. Duhet të ecet përpara me reformat drejt BE-së”.
Ajo ka shprehur shqetësime për mosmiratimin e Projektligjit për fondet e IPA-s, raporton Ekonomia Online.
“Mosratifikimi i marrëveshjes së fondeve të IPA-s është shqetësues. Marrëveshja duhet të ratifikohet menjëherë dhe të mos mbahet peng për çështje politike. Nëse dështoni për konsensus, do të krijoni mungesë stabiliteti”, tha Apostolova.
Ajo rekomandoi që qeveria e kuvendi të qëndrojnë të përqendruara te zbatimi i MSA-së.
“Zbatimi i MSA-së është rruga e duhur për Kosovën. Si qeveria dhe kuvendi duhet të qëndrojnë të përqendruara te MSA-ja, pavarësisht zhvillimeve në vend”.
Apostolova numëroi disa nga të arriturat e kohëve të fundit , ku përmendi sistemin elektronik të prokurimit, financimin e partive politike.
“Po hartohet legjislacion që do të lejojë largimin e punëtorëve që janë shpallur fajtorë nga gjykata. BE-ja mbështet pakon e ligjeve për reformën në administratën shtetërore. Këto janë shumë të rëndësishme, sepse do të sjellin qëndrueshmëri fiskale dhe barazi. BE-ja do ta monitorojë këtë proces”.
Gjatë fjalës së saj, Apostolova ka përmndur edhe çështjen e veteranëve dhe kërkesat e mësuesve të viteve 90-ta.
“BE-ja ka ngritur shqetësime me disa skema, si veteranët. Bashkë me FMN-në kemi kërkuar që të jeni më të ngurtë në këtë aspekt. Që nga viti 2015, kostoja është dyfishuar. Kemi pasur edhe aludime për disa certifikime që janë bërë dhe mashtrime. BE-ja ka shprehur rezervat për mësuesit. Ne ju inkurajojmë që të gjeni kompromis që mësuesve t’u jepet ajo që duhet, por mos të kenë implikime në buxhet. Këto skema rrezikojnë të çojnë drejt pabarazisë gjinore, sepse shumica e përfituesve janë meshkuj”.
Ajo ka shtuar se edhe arsimi është pikë kyçe për zhvillimin e një shoqërie, raporton EO.
“Ju inkurajoj që këto reforma t’i çoni përpara në kuvend. Ju inkurajoj që të miratoni ligjin për ndërmarrjet sociale, punësim dhe është parakusht për dy projekte të BE-së”.
Sipas shefes së Zyrës të BE-së në Kosovë, dialogu me Serbinë duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve, si dhe premtoi mbështetje për presidentët e dy vendeve.
“Me anë të MSA-së, Kosova është përkushtuar për të pasur marrëdhënie të qëndrueshme me Serbinë, duke shmangur që njëra ta bllokojë tjetrën. Duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve. Dialogu ka si synim arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Dialogu sjell normalitet dhe arritjen e progresit drejt BE-së dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ka vështirësi, por BE-ja do ta bëjë të pamundurën që t’u japë ndihmë presidentëve”.
Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, Apostolova theksoi se Kosova duhet të shmangë çdo hap lidhur me çështjet që mund ta dëmtojnë këtë proces.
“Kuvendi ka rol kyç duke vënë prioritete në miratimin p.sh. të ligjit për kodin penal, ligjin për sinjalizuesit. S’ka afat kohor dhe Kosova duhet të shmangë çdo hap pas lidhur me këto çështje që mund të dëmtojnë procesin e vizave”.