Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, nga e cila ka pranuar Raportin e Progres për Kosovën.
Me këtë rast kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se shpreson se në bazë të këtij raporti qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të lëvizin pa viza, raporton Ekonomia Online.
“Rrugëtimi ynë është i qartë dhe i palëkundur drejt Bashkimit Evropian. Çdo të gjetur në këtë raport, ne e pranojmë plotësisht, si progresin, ashtu edhe kritikat, sepse janë shumë reale”, theksoi kryetari Veseli.
Duke e falënderuar Apostolova për raportin, kryeparlamentari Veseli vlerësoi se progresi të cilin e ka bërë Kosovës është i vlerësuar në këtë raport, por, sipas tij, aty janë të adresuara edhe kritika.
Kryetari Veseli theksoi se do të punohet bashkërisht në kapërcimin e sfidave që Kosova ka përpara dhe që evidentohen në këtë raport.
As Veseli, as Apostolova nuk dhanë detaje çka përmban raporti. Këtë do ta bëjë komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, në një konferencë shtypi në Bruksel, në orën 13.
Konferenca do të transmetohet drejtpërdrejt edhe në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.