Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka përsëritur kushtet që Kosova duhet t’i plotësojë urgjentisht për të marrë liberalizimin e vizave.
Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, Apostolova ka theksuar se kushtëzimi i liberalizimit me ratifikimin e demarkacionit qëndron dhe se politikanët nuk duhet të mbajnë peng rininë me vendime politike.
“Kjo është shumë e qartë, mesazhi është përcjellë, tani e ka në dorë Kuvendi. Dhe këtu, më lejoni t’u bëj thirrje politikanëve përsëri që me të vërtetë të mendojnë dy herë nëse me të vërtetë duan që ta mbajnë peng rininë, qytetarët e zakonshëm që duan të udhëtojnë dhe të vizitojnë familjarët e tyre, që të kenë qasje në trashëgiminë kulturore në Evropë, vetëm për shkak të interesave individuale të një partie të vogël politike, që aktualisht po e pengojnë aktualisht votimin në Parlament”, tha Apostolova.
Ajo po ashtu ka thënë se arritjet e Kosovës në procesin integrues në BE janë inkurajese por pritet veprim në kushtet e fundit për liberalizim.
“Kosova duhet të tregojë një lloj qëndrueshmërie, vullnet të mirë dhe kredibilitet në rrugën e saj europiane. Ju keni bërë kaq shumë, keni përmbushur 93 nga 95 kriteret, e që është shumë inkurajues për këtë demokraci të re, ngase Kosova ka dhjetë vite të jetës demokratike. Krahasuar me të tjerët në regjion, ju me të vërtetë keni bërë shumë dhe kjo duhet përgëzuar. Megjithatë, dhe kjo duhet të bëhet absolutisht e qartë edhe në këtë forum, që nuk do të ketë asnjë përjashtim”, tha ajo.