Edhe pse Kosova dhe dialogu me Serbinë nuk kanë qenë temë në takimin e liderëve të NATO-s, zyrtarët e Aleancës kanë thënë se vëmendja për zhvillimet në Kosovë nuk mungon.
Në një deklarim për “Kohën Ditore”, zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për çështje politike, James Appathurai, tha se çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është ndër tri çështjet prioritare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të cilat NATO-ja ka interesim të vazhdueshëm.
“Janë në esencë tri sfida substanciale në rajon. Njëra është Maqedonia Veriore, zgjidhja e çështjes së emrit dhe integrimi euro-atlantik i vendit, dhe qartazi progres substancial është arritur aty. E dyta ka të bëjë me të gjitha sfidat në lidhje me Bosnjë-Hercegovinën, ku së paku kemi arritur progres në rrugën drejt NATO-s… dhe më pas sfida e tretë është ajo e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe zgjidhjes së çështjeve mes tyre”, tha Appathurai.
“Andaj, ne vërtet shpresojmë se ky dialog mund të rinisë sërish. Ka një lidership të ri në BE dhe e di që ata janë të përkushtuar, përfshirë z. Borrell, që të rienergjizojnë këtë dialog”, tha Appathurai për “Kohën Ditore”.
Ai shtoi se NATO-ja do të kryejë pjesën e vet të punës, të cilën, siç tha, NATO-ja e kryen përmes KFOR-it, sikur edhe përfshirjes në zgjidhjen e kontesteve në lidhje me hapësirën ajrore mbi Kosovën.
“Çështja e hapësirës së lartë ajrore tashmë është zgjidhur me sukses, tani e ka radhën hapësira e ulët”, tha ai. “Pra, ne ofrojmë aq sa mundemi, në kuadër të mandatit tonë, për të ndihmuar… por unë besoj se nëse ky dialog mund të sjellë një ndryshim fondamental në sigurinë dhe marrëdhëniet politike në të gjithë rajonin. Kur një herë të keni arritur deri tek zgjidhja, kjo do të zhbllokojë integrimin tuaj euro-atlantik, si dhe do të rrisë prosperitetin ekonomik”, tha Appathurai për “Kohën Ditore”, duke ritheksuar se NATO-ja do të bëjë atë që mund për të ofruar përkrahjen e nevojshme që këto të arrihen.