Franca e ka akuzuar gjigantin teknologjik “Apple” se po refuzon të ofrojë ndihmë rreth aplikacionit “StopCovid”, me të cilin synohet përcjellja e kontakteve kundër Coronavirusit.
Disa shtete po nguten që të zhvillojnë aplikacione të telefonave të mençur, të cilat po shihen si mënyrë për kontrollimin e rasteve me koronavirus në kohën kur ekonomia ka filluar të riaktivizohet.
Këto aplikacione do të përdornin valët Bluetooth, që ua mundësojnë telefonave lidhjen me pajisjet përreth tyre dhe identifikimin e personave që mund të jenë potencialisht bartës të virusit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Telefonat “iPhone” të kompanisë “Apple” zakonisht e bllokojnë qasjen në Bluetooth në kohën kur përdoruesi nuk është duke e përdorur një aplikacion. Sidoqoftë, zyrtarët francezë duan që të ndryshohet kjo veçori dhe që aplikacioni i ri të ketë qasje në Bluetooth gjatë tërë kohës. Apple deri më tani e ka refuzuar këtë kërkesë.
“Apple do të mund të na ndihmonte që ta bëjnë punën e aplikacionit edhe më të mirë në iPhone. Ata nuk kanë dëshiruar ta bëjnë këtë gjë”, tha ministri francez për teknologji digjitale, Cedric O.
“Shpreh keqardhje për këtë, duke pasur parasysh se jemi në një periudhë kur të gjithë janë të mobilizuar në luftën kundër epidemisë dhe duke pasur parasysh se një kompani që është në gjendje të mirë financiarisht nuk e ndihmon një qeveri në këtë krizë”, shtoi ai.
Një zëdhënës i degës së kompanisë “Apple” në Francë ka refuzuar ta komentojë deklaratën e ministrit.