Në disa vitet e fundit, Inteli ka prodhuar modemë për telefona, ndërsa kompania e ka furnizuar Apple me modelet e saj. Në të kaluarën, kishte lajme që Apple potencialisht po mendonte për zhvillimin e modemit të vet dhe si duket kompania ishte shumë afër blerjes së departamentit të Intelit për këtë qëllim, raporton Ubergizmo.
Në një raport të Wall Street Journal, theksohet se burimet e afërta me këtë temë sugjerojnë se Apple dhe Intel e kanë diskutuar mundësinë që kompania nga Cupertino ta blejë biznesin e Intelit me prodhimin e modemëve për telefona. Megjithatë, këto bisedime janë mbajtur shumë kohë më parë dhe në ndërkohë ato kanë dështuar, kështu që padyshim që nga ajo marrëveshje nuk do të ketë asgjë, shkruan KOHA Ditore.
Megjithatë, kjo është interesante sepse raportet e kohëve të fundit kanë sugjeruar se Apple po përpiqet ta gjejë një furnizues të komponenteve 5G për pajisjet e ardhshme të iPhone, gjë që potencialisht do të mund ta shtyjë lansimin e pajisjeve. Kjo u mbështet edhe nga konflikti i atëhershëm me Qualcommin, ndërsa Apple u përpoq pa sukses ta gjejë një furnizues të ri të modemëve.
Ndërkohë, Apple dhe Qualcomm i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, gjë që ka bërë që Qualcommi ta furnizojë Apple me modemë 5G për iPhone në 2020. Nga ana tjetër, Intel njoftoi se po largohet nga tregu për modemët 5G për telefona.