Më herët këtë vit, Apple e ka blerë linjën e Intelit për modeme në përpjekje për ta zhvilluar edhe një pjesë harduerike në kuadër të resurseve të veta, në mënyrë që të mos varet nga furnizuesit e tjerë.
Para kompanisë është ende një rrugë e gjatë për t’u bërë plotësisht e pavarur, ndërsa burimet e brendshme theksojnë se modemi 5G i Apple nuk do të shfaqet në iPhone para vitit 2022.
Qualcomm është furnizuesi dhe prodhuesi aktual i modemeve për Apple, ndërsa kompania ka premtuar se do të sigurojë modemë 5G për iPhone për vitin e ardhshëm, shkruan KOHA Ditore. Megjithatë, prapa të dy kompanive është një vit i trazuar, me kontestin në gjykata për licencat dhe problemet e tjera, kështu që nuk befason dëshira e Apple për t’u pavarësuar.
Apple e ka themeluar tashmë departamentin e vet për hulumtim dhe zhvillim për çipat e modemit RF. Megjithatë, burimet thonë se viti 2022 është parashikimi më optimist për atë se kur modemet Apple 5G do të mund të gjenden në iPhone. Nevojitet kohë që, përveç prodhimit, të sigurohet edhe testimi, optimizimi dhe standardizimi i teknologjisë.
Dëshira e madhe e Apple është që ta ketë një modem të integruar në çipset i cili e funksionalizon iPhonein, por kjo nuk pritet të ndodhë para vitit 2023, ndërsa një vit më parë do të shfaqet një çip i veçantë i modemit 5G dhe çipseti i veçantë Apple Bionic.