Apple do të aplikojë disa ndryshime në rregulloren e App Store për zhvilluesit pak ditë përpara debutimit të iOS 10 dhe macOS Sierra. Ndryshimet të cilat Apple tashmë ua ka komunikuar zhvilluesve të regjistruar përmes e-mail-it, do të adresojnë aplikacionet e “vdekura”.
Sfida më e madhe është largimi i aplikacioneve të vjetra ose të papërditësuara nga Apple Store të cilat nuk janë brenda rregullores së App Store ose që nuk janë përditësuar për të mbështetur API-të më të fundit. Si rezultat, heqja e aplikacioneve të vjetra do të zvogëlojë numrin e aplikacioneve që vuajnë me përshtatshmërinë në versionet më të fundit të iOS.
Edhe pse Apple nuk ofroi detaje të kritereve që do të vlerëson për aplikacionet, kompania njoftoi se implementimi do të jetë një proces i cili do të fillojë që me njoftimin e zhvilluesve, vlerësimin e gjendjes së aplikacionit gjer tek largimi i tij.
Zhvilluesit do të kenë një afat 30 ditor për të përditësuar aplikacionet e tyre. Nëse ato hiqen, emërtimi i aplikacionit do të ngelet i lidhur me zhvilluesin.
Përditësimi tjetër i dedikohet emërtimit të aplikacioneve. Në App Store do të pranohen emërtime që nuk i kalojnë 50 karakteret në përpjekje për të thjeshtuar kërkimin e tyre. macOS Sierra dhe iOS 10 me shumë gjasa do të finalizohen këtë muaj dhe data 7 Shtator është një prej destinacioneve të mundshme. Pikërisht këtë ditë do të hyjnë në fuqi ndryshimet e reja.