Qualcomm dhe Apple kanë pasur shumë mosmarrëveshje në të kaluarën, gjë që çoi në një betejë të madhe gjyqësore midis dy kompanive. Megjithatë, gjithçka tani ka kulmuar me një marrëveshje befasuese midis dy kompanive. Para se të qartësohej situata, doli informacioni se Qualcomm do të jetë zgjedhja kryesore e Apple për modemët 5G për pajisjet e iPhone nga viti 2020, përcjell iPhoneHacks.
Sipas raportit të Nikkei, Apple tashmë planifikon ta angazhojë Qualcommin si furnizuesin kryesor të modemit 5G për vitin e ardhshëm. Dy kompanitë thuhet se e kanë negociuar marrëveshjen disa javë më parë, ndërsa një pjesë e këtij plani lidhet gjithashtu me disponueshmërinë e modemit 5G për Apple. Gjithashtu theksohet se Apple i ka testuar tashmë modemët 5G të Qualcommit dhe u ka kërkuar furnizuesve të vet ta bëjnë të njëjtën gjë, shkruan KOHA Ditore.
Ky raport gjithashtu konfirmon se Apple nuk do ta përdorë modemin 5G në linjën e iPhone për vitin 2019. “Është shumë vonë për Apple që t’i përdorë çipat e Qualcomm këtë vit, por për vitin 2020 do të blejë çipa modem, duke përfshirë çipat modem 5G për iPhone, pas finalizimit të marrëveshjes,” tha një burim i cili ka pasur qasje në planet e dy kompanive.