Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e padtësit N.Xh, duke anuluar kështu vendimin e komisionit disiplinor të Policisë së Kosovës, përmes së cilit iu ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.
Me aktgjykimin e 15 shkurtit 2022 dhe me atë plotësues të 7 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka anuluar në tërësi vendimin e komisionit disiplinor të Policisë së Kosovës.
MPB përmes këtij aktgjykimi obligohet që paditësin N.Xh ta kthejë në vendin e njëjtë të punës.
Sipas aktgjykimit, detyrohet e paditura Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)- Policia e Kosovës, që në emër të pagave të papaguara t’ia paguajë paditësit 27 mijë e 478 euro e 21 centë për pagat neto, për kontributin pensional të punësuarit 1 mijë e 513 euro e 49 centë, për kontributin pensional të punëdhënësit 1 mijë e 513 euro e 49 centë, si dhe tatime në paga 1 mijë e 278 euro e 19 centë, ndërsa në tërësi për pagat bruto 30 mijë e 269 euro e 85 centë.
Po ashtu, me këtë aktgjykim është obligua e paditura që në emër të shpenzimeve procedurale ta kompensojë paditësin në shumë prej 1 mijë e 588 euro.
Në arsyetimin e akgjykimit thuhet se në bazë të provës, aktgjykimi penal i Gjykatës Themelore në Prishtinë i plotfuqishëm nga 24 mars 2017, që i përgjigjet çështjes së njëjtë hetimore për çka është iniciuar procedura disiplinore ndaj paditësit N.Xh, është vërtetuar se nuk ka prova se në veprimet e të njëjtit qëndrojnë elemente të veprës penale.
Andaj, lidhur me provën e lartëcekur, gjykata vërteton se ndërprerja e marrdhënies së punës ëshë në kundërshtim me Ligjin e Punës.
Po ashtu, sipas arsyetimit ndërprerja e marrëdhënies së punës bie ndesh me nenin 67, pika 1.6 të Ligjit të Punës, ku thuhet se: nëse i punësuari shkon në vuajtje të dënimit i cili do të zgjasë më tepër se gjashtë muaj, atëherë mund të ndërpritet marrëdhënia e punës.
Sa i përket lartësisë së shumës së gjykuar, në arsyetimin e vendimit thuhet se gjykata ia ka falur besimin ekspertizës financiare dhe plotësimit të saj.
Gjithmonë sipas aktgjykimit, thuhet se gjykata me rastin e vendosjes kishte marrë për bazë edhe kundërshtimet e tjera të paditëses, mirëpo me asnjë provë të vetme nuk ishte argumentuar e kundërta e pretendimeve nga paditësi N.Xh.
Ndërsa, sipas parashtresës për precizimin e padisë së 21 janarit 2022, paditësi N.Xh ka kërkuar nga e paditura Ministria e Punëve të Brendshme – Policia e Kosovës, që të anulohet vendimi i 4 marsit 2014, i komisionit disiplinor të Policisë së Kosovës dhe vendimi i komisionit për ankesa i 22 prillit 2015, si të kundërligjshëm.
Sipas kësaj parashtrese, kërkohet edhe që e paditura ta kthejë paditësin në vendin e njëjtë të punës me të njëjtën gradë në Stacionin Policor Qendra, DRP-Prishtinë dhe t’ia kompensojë shumën prej 30 mijë e 269 euro e 85 centë, sipas plotësim ekspertizës së 8 dhjetorit 2021, me kamatë ligjore 8% dhe t’i paguajë shpenzimet e procedurës.
Ndërkaq, sipas padisë së 22 majit 2015 ,thuhet se paditësi N.Xh ka paditur MPB- Policinë e Kosovës dhe kërkon të anulohet vendimi i komisionit disiplinor të Policisë së Kosovës për shkak të dyshimit se ka kryer shkeljet disiplinore nga udhëzimi administrative, kundër të cilit kishte paraqitur ankesë, por e njëjta i ishte refuzuar.
Mbi këtë bazë, paditësi N.Xh kërkon kthimin në vendin e punës zyrtar policor dhe t’ia paguajë pagat mujore të parealizuara, duke llogaritur nga dita e ndërprerjes të marrëdhënies së punës deri te momenti i kthimit në marrëdhënie pune me kamatë 0.4%, prej ditës së paraqitjes së padisë deri te pagesa përfundimtare dhe t’i paguajë dhe shpenzimet e procedurës, njofton betimiperdrejtesi.