Aprovohet pjesërisht padia me anë të së cilës paditësi ka kërkuar shumën afro 90 mijë euro kompensim dëmi nga KRU “Prishtina”

Prishtinë | 25 Dhj 2021 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësit Ahmet Morina me anë të së cilës ka kërkuar kompensimin e dëmit në shumën prej 89 mijë e 545 euro, nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, për të cilin pretendon se i është shkaktuar nga kjo kompani me vendosjen e gypit të ujit në pronën e tij.

Me aktgjykimin e 4 nëntorit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht padinë e paditësit Ahmet Morina, duke e detyruar të paditurën që atij t’ia kompensoj shumën prej 62 mijë e 276 euro, në emër të kompensimit të dëmit për pasurinë në sipërfaqe tokësore prej 200 m2, dhe atë me kamat si për mjetet e doponuara në bankë për një vit pa destinim të caktuar duke i përllogaritur kamatat nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi e deri në pagesën definitive nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.

Pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditësit përtej shumës së gjykuar sipas këtij aktgjykimi është refuzuar nga gjykata.

Ndërsa sa i përket shpenzimeve të procedurës, gjykata ka vendosur që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta në kuptim të nenit 452.2 të Ligjit për Procedurën Kontestimore,  për faktin se paditësi nuk i kishte specifikuar në mënyrë taksative se cilat shpenzime i kërkon si dhe për faktin që kërkesëpadia e tij është aprovuar vetëm pjesërisht.

Sipas vlerësimit të gjykatës në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e shpronësimit të paluajtshmërisë së paditësit pasi që qëllimi thuhet se ka qenë publik konkretisht furnizimi me ujë për banorët.

Më tutje në aktgjykim thuhet se në nenin 7 dhe 4 si dhe paragrafit 3 të Ligjit për Shpronësim të Pronës është përcaktuar se kur bëhet shpronësimi, mirëpo organi shpronësues nuk kishte nxjerr aktvendim mbi shpronësimin e të njëjtës edhe pse gypat e të paditurës ishin vendosur në pronë të paditësit duke ia pamundësuar atij që të kërkoj kompensimin e kësaj prone.

Sipas aktgjykimit e paditura me këto veprime nuk e ka balancuar interesin publik me atë privat duke e shkelur rëndë interesin e paditësit ku duke ia vendosur gypat në pronën e tij ka realizuar vetëm shpronësimin faktik dhe jo atë juridik.

Andaj e paditura thuhet se paditësit ia ka pamundësuar që të ndërtoj shtëpi banimi në pronën e tij dhe të njëjtën nuk ia kompensuar asnjëherë edhe pse ishin plotësuar kushtet për një gjë të tillë në bazë në Ligjit për Shpronësimin konkretisht nenit 15, 21 dhe 22.

Në rastin konkret sipas aktkgjykimit janë shkelur të drejtat e paditësit të cilat garantohen me Deklaratën Universale të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut konkretisht neni 17, Konventa Evropiane e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe protokollet e saj shtesë dhe atë neni 1 i saj, si dhe Kushtetuta e Kosovës dhe atë neni 46 dhe 53.

Andaj gjykata bazuar në dispozitat e Ligji për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme dhe atë nenin 4, 7, 15, 16, 21 dhe 22, thuhet se ka vendosur si në dispozitv të këtij aktgjykimi.

Lidhur me lartësinë e kërkesëpadisë gjykata ka vendosur duke e mbështetur atë në ekspertizën për përcaktimin e vlerës së tregut të paluajtshmërisë e cila thuhet se ishte caktuar në vlerë prej 62,276.00 euro.

Ndërsa sa i përket shumës prej 9,450.00 euro, e cila ishte vlerësuar si qira e papaguar nga e paditura për palën paditëse, gjykata sipas aktgjykimit nuk ka dhënë mendim lidhur me këtë pasi që paditësi në parashtresën me anë të së cilës kishte bërë precizimin e padisë dhe kërkesëpadisë në petitumin e saj nuk kishte parashtruar një kërkesë të tillë.

Lidhur me këtë rast shqyrtimi kryesor është mbajtur më 4 tetor 2021, ku palët ndërgjyqëse kishin dhënë fjalën e tyre përfundimtare.

Fillimisht paditës ka qenë Adil Morina, mirëpo më vonë është bërë rregullimi i padisë ku si paditës është caktuar Ahmet Morina pasi që prona kontestuese ishte bartur në emër të tij.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar në shtator të vitit 2014, thuhet se në vitin 2000, e paditura KRU “Prishtina” ka bërë instalimin e gypit të ujit nga Liqeni i Badovcit në pronën e paditësit, duke i shkaktuar dëm material dhe privuar nga e drejta e shfrytëzimit të një pjese të ngastrës me sipërfaqe prej 2 ari, pa ndonjë kompensim.

Në padi thuhet se paditësi ka bërë kërkesë për kompensimin e dëmit te tani e paditura, mirëpo i njëjti nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje.

Fillimisht me padi, paditësi ka kërkuar shumën prej 51 mijë euro, mirëpo me parashtresën e datës 10 qershor 2020, ai ka bërë precizimin e kërkesëpadisë me anë të së cilës po kërkon shumën prej 89 mijë e 545 euro për sipërfaqen tokësore 200 m2, dhe atë me kamatë ligjore si dhe shpenzimet e procedurës, me arsyetimin se në këtë zonë sipas Planit të Zhvillimit Urban të Komunës së Prishtinës do të lejohet ndërtimi i lartë. 

Të ngjashme