Aprovohet propozimi që të dëgjohet sërish një mësimdhënës në gjykimin ndaj Drejtorit të Arsimit në Rahovec

Prishtinë | 12 Qer 2024 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në gjykimin ku Avni Morina po akuzohet se në cilësi të drejtorit të Arsimit në Rahovec ka keqpërdorur detyrën zyrtare, është aprovuar propozimi që dëshmitari Refki Kryeziu të ftohet sërish në cilësi të dëshmitarit.

Refki Kryeziu, mësimdhënës në shkollën “Selajdin Mullabazi-Mici”, në seancën e 23 prillit 2024 deklaroi se kishin bërë një marrëveshje me të dëmtuarën Xhevahire Hajda, që e njëjta ta zëvendësojë për periudhën kohore mars-prill-maj, raportoi “Betimi për Drejtësi“.


Mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Dardan Morina të mërkurën propozoi që Kryeziu të dëgjohet sërish.

Avokati iu referua deklarimit të dëshmitarit nga seanca e kaluar, duke shtuar se ai kishte thënë se pagën e plotë që e kishte marrë dhe e cila pagë del nga buxheti i shtetit, ia kishte dhënë në tërësi të dëmtuarës Hajda.

Për këtë deklaratë, ai tha se për të konfirmuar këtë fakt më së miri mund t’iu tregojë e dëmtuara Hajda. Por, ajo tha se nuk është e vërtetë dhe se nuk e ka takuar pas përfundimit të procesit mësimor profesorin Refki Kryeziu.

Sipas Hajdës, përveç 250 euro që u janë ndarë nga shteti gjatë pandemisë, Kryeziu nuk i ka dhënë asnjë pagë tjetër.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre kurse në të radhës pritet të dëgjohet sërish Kryeziu për të sqaruar çështjen e lartpërmendur.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Avni Morina po akuzohet se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziut-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.

Sipas aktakuzës, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.

Për këto, i pandehuri Avni Morina po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi i parë i Kodit Penal.

Të ngjashme