Arabia Saudite ka akuzuar Iranin për urdhërimin e sulmeve në objektet e rafinerisë së naftës.
Përgjegjësinë për këto sulme e kanë marrë rebelët Huthi të Jemenit.
Ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite, Khalid bin Salman, tha se sulmet ishin “të urdhëruara nga regjimi në Teheran” të cilin ai e akuzoi për përdorimin e rebelëve Huthi si “mjet për të zbatuar agjendën e ekspansioniste në rajon”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Adel al-Jubeir shkroi në Twitter se rebelët Huthi po “sakrifikojnë popullin jemenas për të mirën e Iranit”.
Nuk pati komente të menjëhershme nga Irani, i cili ka mohuar mbështetjen për rebelët Huthi.
Më parë gjatë ditës, një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite konfirmoi se kishte kryer sulme ajrore në kryeqytetin jemenas, Sana.
Sulmi, sipas zyrtarëve saudit, kishte në shënjestër objektet ushtarake që mbahen nga rebelët.