Futbollisti i FC Ballkanit, Arbër Hoxha, ka pësuar një lëndim të rëndë në seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes ndaj Trepçës ‘89.
Hoxha ka ndjerë dhimbje të mëdha në këmbën e tij të djathtë, derisa është dërguar menjëherë në infermieri.
Ekzaminimet e para mjekësore nuk japin sinjale pozitive për 21 vjeçarin, ndërkohë që gjatë ditëve në vijim priten të bëhen edhe testime të tjera për të mësuar përfundimisht gjendjen e tij.
Sulmuesi i krahut do të mungojë në ndeshjen ndaj Trepçës ‘89 këtë të diele, teksa javën e ardhshme do të dihet saktësisht diagnoza e lëndimit të tij, shkruan Gazeta Sheshi.
Ish-futbollisti i Prishtinës ka qenë njëri ndër lojtarët më të mirë të skuadrës nga Suhareka këtë edicion, duke luajtur rregullisht në të gjitha ndeshjet kampionale.
Ai këtë edicion ka realizuar gjashtë gola dhe ka shërbyer njëherë për bashkëlojtarët e tij.