Kompania promovuese e boksit “Matchroom” ka publikuar imazhet brenda stadiumit me 15 mijë ulëse në Diriyah të Arabisë Saudite, ku do të mbahet rimeçi mes Anthony Joshuas dhe Andy Ruiz Jr.
Dy gjigantët e peshës së rëndë do të ndeshen më 7 dhjetor në Arabi Saudite në përballjen për titujt e botës në peshën e rëndë në boksin profesionist, shkruan sot Koha Ditore.
Joshua, që humbi të katër titujt e botës (WBA, WBO, IBF dhe IBO) ndaj meksikanit Ruiz Jr. në qershor, ka arritur në Arabinë Saudite të dielën. Ndërsa Ruiz Jr. ka arritur të martën në vendin ku do të mbahet dueli i madh.
Të dy kanë vizituar stadiumin që është ndërtuar në Diriyah pikërisht për këtë përballje.
Arena Diriyah është në zemër të vendit që është i njohur si shtëpi e heronjve dhe mbretërve, si dhe është zonë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.