Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, njoftoi se vendi i tij do të vazhdojë të qëndrojë në karantinë të detyrueshme deri më 10 maj në përpjekje për ta luftuar përhapjen e koronavirusit.
Masat e vendosura nga qeveria, të cilat kanë hyrë në fuqi nga mesi i marsit, fillimisht ishin planifikuar të përfundonin më 26 prill.
“Kemi kaluar një rrugë të gjatë dhe kemi arritur disa prej objektivave që ia kemi vendosur vetes në fillim, por kjo nuk do të thotë që e kemi zgjidhur problemin”, tha presidenti Fernandez gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion.
Megjithatë, ai njoftoi se ka vendosur që t’i lehtësojë disa masa, me ç’rast argjentinasët do të kenë të drejtë të dalin për të ecur në afërsi të shtëpive gjatë ditës, shkruan “Reuters”.
Presidenti gjithashtu tha se guvernatorët provincialë do të lejohen të bëjnë përjashtime nga masat e izolimit, me kusht që të përmbushen kushtet sanitare.
Deri më tani, në Argjentinë janë shënuar 3,780 raste të koronavirusit dhe 185 të vdekur. Këto shifra janë të ulëta në krahasim me Brazilin, Perun dhe Kilin.