Ylli i hitit “7 Rings”, Ariana Grande, e cila e ka një bazë adhuruesish të moshës më të re, i shfrytëzoi rrjetet sociale gjatë fundjavës për ta shprehur frustrimin ndaj personave që nuk po e marrin seriozisht këtë sëmundje duke thënë “ne do të jemi mirë, sepse jemi të rinj”.
Këngëtarja, po ashtu deklaroi se njerëzit duhet të kenë më shumë konsideratë dhe kujdes për njerëzit e tjerë, transmeton Koha.
Përmes në postimi në Twitter, Grande tha: “E kuptoj se kështu jeni ndier para ca javësh, por ju lutem shumë lexoni dhe informohuni rreth asaj që po ndodhë tani. Mos i injoroni faktet. Mentaliteti i ‘unë jam i ri dhe nuk me gjen asgjë’ po i rrezikon jetët e njerëzve të tjerë të cilët janë në moshë të shtyrë apo janë shëndetligë. Duke deklaruar kështu, ju thjesht po tingëlloni budallenj dhe të privilegjuar, andaj duhet të mësoni si të kujdeseni më shumë për të tjerët.”
Pop ylli 26-vjeçar tutje i kërkoi falje të gjithë personave që mund t’i ketë mosrespektuar për shkak se janë të detyruar të punojnë, pavarësisht se presidenti i shtetit, Donald Trump, e ka shpallur gjendjen emergjente pas përhapjes së madhe të koronavirusit.
“Disa prej nesh duhet të punojnë. E kuptoj dhe e mbështes tërësisht frustrimin tuaj. Nuk dua të tregohem mosrespektuese ndaj askujt që nuk e ka privilegjin të mos dal në punë. Por, kjo është një emergjencë shtetërore dhe një pandemi me përmasa globale,” ka shtuar tutje pop këngëtarja.
Ariana Grande më pas i ka ftuar 177 milionë ndjekësit e saj në Instagram, që në vend se t’i dërgojnë asaj mesazhe ku e shprehin frustrimin e tyre rreth kësaj gjendjeje, të ndihmojnë në kalimin e një ligji i cili u ofron mbështetje financiare dhe më shumë, të gjithë personave në nevojë.