Memoriali i sakrificës së fëmijëve të Kosovës, ideuar nga Nusret Pllana po kërkohet që të bëhet përmes një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës, raporton Ekonomia Online.
Këtë kërkesë e ka arkitekti i njohur kosovar, Arianit Bytyçi. Ndonëse e përkrah këtë iniciativë, Bytyçi kritikon institucionet vendore për mosndërtimin e muzeut të luftës së UCK-së dhe Pavarësisë.
“Unë mendoj që kjo është një iniciativë e qëlluar duke pasur parasysh se edhe institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë diçka serioze në këtë drejtim të dokumentimit të sakrificës së popullit të Kosovës për Liri dhe Pavarësi. Kosova ende nuk e ka muzeun e luftës së UCK-së nuk e ka monumentin e Pavarësisë që do të duhej të ishte në kryeqytet ku do të duhej që të ishin të prezantuara sakrificat e popullit të Kosovës”, u shpreh ai.
Bytyçi në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se iniciativa e tillë është shumë e qëlluar por që duhet të hapet konkurs ndërkombëtar, në mënyrë që sipas tij të inkurajonte pjesëmarrjen e arkitektëve ndërkombëtar.
“Prandaj inciativa për këtë monument është e qëlluar. Në aspektin arkitektonik kjo duhet të trajtohet përmes një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës që do të inkurajonte pjesëmarrjen e arkitektëve vendorë e ndërkombëtar. Kjo qasje është e domosdoshme me qëllim të projektimit të denjë një monumenti të sakrificës së fëmijëve të Kosovës. Detyra projektuese e konkursit ndërkombëtar të këtij monumenti do të duhej të kishte vizion të qartë për prezantimin në mënyrë bashkëkohore të sakrificës për fëmijët e Kosovës, me qëllim që të ngritet monumenti arkitektonik unik, që do të ishte pjesë e identitetit kulturor të Kosovës”, shtoi ai.
Bytyçi thotë se konkursi ndërkombëtarë do ta ndihmonte Kosovën në kohën kur përballet me Gjykatën Speciale.
“Duke pasur parasysh sakrifica e luftës nuk është dokumentuar në nivelin aq të lartë dhe Kosova gjendet një moment të ndjeshëm historik dhe shpallja e një konkursi ndërkombëtar e arkitekturës për monumentin e sakrificës së fëmijëve të Kosovës për liri do të ishte një lajm I mirë për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thotë ai për EO.
Teksa ka folur për këtë, arkitekti i njohur kosovar thotë se qasja e institucioneve pos konkursit ndërkombëtar do të duhej të ishte edhe përzgjedhja e jurisë profesionale.
“Qasja institucionale lidhur me realizimin e këtij monumenti do të duhej të ishte shpallja e një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës e cila do të hartohej edhe në bashkëpunim me iniciatorët e këtij monumenti por me pjesëmarrjen e arkitektëve botëror që kanë njohuri për muzetë e luftës. Juria e përzgjedhjes së projektit që do të ishte rezultat ndërkombëtar në arkitekturë duhet të jetë kredibile në mënyrë që emrat e tyre të bëhen publik dhe të mos kemi situata që me çështje kaq të ndjeshme të manipulohet”, thotë ai.