Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiperim Arifi, ka komentuar veprimet e Qeverisë Kurti ndaj Luginës së Preshevës.
Ai ka kritikuar shefin e ekzekutivit kosovar për përçarjen e spektrit politik të Luginës së Preshevës.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Arifi ka folur për mospërfshirjen e shqiptarëve të Luginës në dialogun e Brukselit.
Sipas tij, kjo është një tradhti që Kurti u ka bërë shqiptarëve të Luginës.
“Për mua Kurti është tradhtar i popullit shqiptar të Preshevës, sepse ka pranuar në Marrëveshjen Brukselit dhe të Ohrit që shqiptarët e Luginës fare të mos jenë pjesë e reciprocitetit dhe fare të mos jenë pjesë e kësaj marrëveshje”, ka thënë Arifi.
Duke i komentuar veprimet e Qeverisë Kurti për Luginën, ai ka thënë se ato janë nën hije e përçarjes politike që Kurti ia ka ofruar spektrit politik të Luginës.
“Veprimet e ashtuquajtura të mira për Luginë të Preshevës janë nën hijen e politikave të Kurtit që e kanë përçarë Luginën e Preshevës. Këto veprime për mua janë artificiale, sepse më e rëndësishme që ka ndodhur është ajo që ne për tri vite jemi pa përfaqësim të dinjitetshëm në Parlamentin e Serbisë. Kjo sepse e ka përçarë listën dhe ka krijua dy blloqe. Njëjtë ai është duke vepruar edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Arifi.