Arifi nga xhamia “Haxhi Ibrahim Devolli” në Pejë: Ndihemi të përmbushur që përfunduam me sukses agjërimin

Prishtinë | 02 Maj 2022 | 07:10 | Nga Ekonomia Online

Në xhaminë “Haxhi Ibrahim Devolli” në Pejë, është bërë falja e namazit të Fitër Bajramit.

Besimtarë të shumtë e kanë kryer këtë ritual fetar pasi sot festojnë Fitër Bajramin pas 30 ditësh agjërimi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, njofton Klan Kosova.

Driton Arifi, ligjërues në medresenë “Alauddin”, u tha të pranishmëve se ata që kanë agjëruar gjatë këtij muaji të shenjtë e kanë përmbyllur me sukses “një kërkesë aq hyjnore siç është agjërimi”.

“Jemi mbledhur këtë në këtë mëngjes të hershëm në një vend të bekuar, në njërën prej shtëpive të Zotit të madhërishëm, duke u ndier të lumtur e të gëzuar që kemi përmbyllur me sukses një adhurim aq me peshë dhe një kërkesë hyjnore aq të dëlirë siç është agjërimi. Ndihemi të përmbushur në shpirt të përndritur në mendje, sepse iu kemi përgjigjur ftesës së Zotit tonë, i cili në shenjë përkujdesje ndaj njeriut përcaktoi detyra e obligime për ta udhëzuar e për ta bekuar atë në rrugën e drejtë. Sigurisht, në fund edhe për ta bekuar me shpërblimin madhështor – hyrjen në xhenet”.

“Allahu meriton madhërimet tona që na dha shëndet edhe na mundësoi që të përmbushim këtë obligim kaq madhështor të tij. Njeriu në rrugëtimin e tij në jetë më së shumti ka nevojë për një udhëzues e një shëmbëlltyrë të cilën e merr si model në jetë – hapat e të cilit i ndjek me kënaqësi. Ai kështu sigurisht që do të ndihet më i qetë sepse e ka bindjen se ai është duke ecur në rrugën dhe drejtimin e duhur”.

“Shpirti i tij qetësohet, vetëm atëherë kur të bindet se në rrugën e tij të jetës ka dikush që ka ecur para tij dhe ka lënë gjurmë në këtë rrugë edhe para tij”, tha Arifi.

Të ngjashme