Arifi: Vetëvendosje e ka humbur legjitimitetin me pranimin e planit franko gjerman

Prishtinë | 03 Jan 2024 | 22:45 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar, Dritëro Arifi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje e ka humbur legjitimitetin për shkak të pranimit të planit franko–gjerman.

Këtë deklaratë Arifi e bëri duke komentuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend.

Për këtë Arifi tha se partitë opozitare janë ato që gjithmonë insistojnë për një gjë të tillë pasi sipas tij, aty tregohet se qeveria aktuale ka dështuar në realizimin e planprogramit.

“Është e vërtetë që gjithmonë partitë opozitare insistojnë që të ketë zgjedhje të parakohshme sepse e dëshmojnë një gjë, që Qeveria që është në pushtet realisht nuk ka arritur që ta përmbushë planprogramin e vet. Do me thënë me një fjalë ka dështu në

realizimin e planprogramit qeverisës. Mirëpo një gjë është e vërtetë që Qeveria Kurti II e ka humbur legjitimitetin pikërisht për shkak të pranimit të planit franko gjerman, nuk është aty njohja ligjërisht e obligueshme”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Derisa tha se “pikërisht Vetëvendosja e ka çmendë këtë popull për 15 vite kundër ‘Zajednicës’ dhe tash në fund vjen dhe e pranon pa e marrë atë njohjen ligjore”.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në një intervistë ditë më parë kishte deklaruar se “Është mirë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme”.

E në anën tjetër kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është i bindur se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor në Kosovë.

Të ngjashme