Politikologu Dritëro Arifi ka thënë për Ekonomia Online se i dërguari special për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, i cili do të vizitojë të martën Kosovë, ka për qëllim të qartësojë afatet kohore kur do të fillojë dhe kur mund të përfundojë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, përkatësisht Aneksit të Ohrit.
Por, profesori universitar nuk parashikon se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024 do të ketë zbatim të marrëveshjes, duke marrë parasysh hezitimin e të dy palëve.
Këshilla e Arifit për palën kosovare është që të dalë nga kurthi ku ka hyrë, sepse nuk po di se si t’i qaset zbatimit të marrëveshjes.
“Nuk po dimë a do ta zbatojmë marrëveshjen së bashku më BE-në, a do të kërkojmë nga BE-ja të vendosë kushte, sepse nga Serbia po vërehet se nuk do të ketë asnjë lëvizje serioze dhe pozitive në këtë drejtim. E jona është që të dalim nga ky kurth. Jemi ende në izolim, ende në sanksione dhe në një farë mënyre po shihemi ne si ‘problematiku’. Duhet ta ndryshojmë këtë narracion”.
“Por këtë vit është vështirë, sepse edhe pala kosovare nuk është e gatshme që të vendosë interesat e shtetit përpara partisë”, thekson Arifi.
Lajçak të hënën ka qëndruar për vizitë edhe në Serbi, ku është takuar me presidentin e këtij vendi, Aleksandër Vuçiq. Ndërsa të martën do të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ku sipas burimeve jozyrtare do të zhvillojë takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Nuk dihet a do të takohet edhe me kryeministrin Albin kurti.
“Besoj që vizita e Lajçakut ka të bëjë më shumë më zbatimin e marrëveshjes. Pra do të kërkohen afat kohore ku do të fillojë dhe kur do të mund të përfundojë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, respektivisht Aneksit të Ohrit. Kjo do të jetë tema qendrore, mandej ka edhe tema rrethanore por kjo do të jetë ajo kryesorja, zbatimi i marrëveshjes për të cilën palët janë zotuar”, ka thënë Arifi, për Ekonomia Online.
Ai shpjegon më tutje pse mendon se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti nuk pritet që të ketë zbatim të marrëveshjes.
“Unë besoj që zbatim të marrëveshjes, të paktën në gjashtëmujorin e parë nuk do të ketë, sepse po vërehet që një muaj veç iku nga ky vit dhe duke ditur që ka zgjedhje në BE e ShBA, palët në njëfarë mënyrë po mundohen që të pozicionohen më mirë, duke e shtyrë për një afat tjetër. Është problematike, sepse palët nuk janë të harmonizuara dhe të dakorduara për ta zbatuar. Aa vetëm e kanë pranuar sa për ta larguar presioni ndërkombëtar. Vetëm neni një është zbatuar edhe ai vetëm disa pika, pra siç është çështja e targave, por nuk kemi zhvillim dhe volum më të madh të zbatimit të marrëveshjes”.
Sipas tij, pala serbe ka hezitim shumë të madh, por për shkak të qasjes së gabuar, pala kosovare është në defansivë.
Presidenti serb, Vuçiq, pas takimit të sotëm në Beograd ka thënë se me ndërmjetësin Lajçak kanë diskutuar për domosdoshmërinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Kosovës, pastaj mbajtjen pa ndonjë shtyrje të zgjedhjeve për kryetar të katër komunave në veri të Kosovës, si dhe ka kërkuar mbështetjen e BE-së në ndalimin e “provokimeve të mëtejshme” që vijnë nga Prishtina.