Arkitekti grushtohet nga policët në Gjilan, incizimin do ta dorëzojë në IPK

Gjilan | 03 Mar 2019 | 22:37 | Nga Ekonomia Online

Arkitekti Osman Spahia nga Gjilani ka pasur një përvojë shumë të keqe me policët e komunikacionit këtë të diel në fshatin Koretin të Kamenicës. “Policët më arrestuan, më futën në veturë dhe njëri prej tyre filloj të më grushtojë dhe të më fyej me fjalët më banale të mundshme”, rrëfen Spahia.

Osman Spahia (1989) nga Gjilani me profesion arkitekt thotë për rajonipress se të dielën rreth orës 16 e 32 minuta në fshatin Koretin të Kamenicës ka përjetuar një ngjarje të pakëndshme, pasiqë është fyer e grushtuar nga një polic i komunikacionit.

Sipas rrëfimit të Spahiut policët e komunikacionit fillimisht e kanë arrestuar e më pas në veturë e kanë grushtuar.

“Isha i parkuar gabimisht dhe ashtu më thanë dhe realisht e pranova gabimin. Derisa po e pranoja fajin njëri nga policët, meqë ishin tre të komunikacionit filloi të më bërtas. I thashë nuk ke nevojë të sillesh kështu sepse e di që e kam parkuar gabimisht, por juve po ju pengon vetëm pse vetura ka tabela të Prishtinës”, nis rrëfimin e tij Osman Spahia.

Spahia tha se nga ky sqarim i tij që ishte paqësor është arrestuar menjëherë nga policia.

“Kur kemi hy në veturë ka filluar të më shajë me nënë e me lloj lloj fjalori banal. Njëri prej policëve më grushtoj dhe më doli gjaku nga hunda. Në atë gjendje kam arritur ta regjistrojë tërë ngjarjen. Kur kemi shkuar në stacionin policor atje janë sjellur më butë dhe më thanë nëse nuk e tregon rastin ne mundemi me ta lehtësuar dënimin”, shprehet Spahia.

Por, Osman Spahia thotë se nuk e ka ndërmend të hesht. “Do ta dërgoj rastin në prokurori dhe në Inspektoratin Policor të Kosovës sepse qytetaret tanë nuk meritojnë të kenë policë të tillë që e keqpërdorin detyrën zyrtare dhe uniformën” tha Spahia.

Të ngjashme