Lulzim Behxheti është kandidati i parë që e ka hapur fushatën për kryetar të komunës së Gjilanit.
Behxheti do të kandidoj i pavarur në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.
Arkitekti i cili ka mbi 30 vjet që jeton dhe vepron në Finlandë saktësisht në Helsinki, është kthyer në vendlindje për të kontribouar në zhvillimin e Gjilanit.
Hapjen e fushatës e bëri në fshatin Bresalc, vend ky që ka domëthënie të vecantë për të dhe familjen e tij, raporton Infosot.com.
“Mua më lidh një seri emocionesh me Bresalcin, pikë së pari familja jonë kanë ardh këtu ne Bresalc, prej këtu kemi fillu me marrë veten. Ka shku një kohë e gjatë dhe kemi marrë një vend këtu në Bresalc dhe në kohën më të keqe të mundshme këtu i kemi përjetu të gjitha. Regjimi i atëhershëm i shitke banesat krejt dhe mua edhe atë pasuri të vogël që e pata ma morën krejt. Pastaj u detyrova me gruan dhe fëmijët të shpërngulem në Bresalc. Këtu e ndërtuam një shtëpi e cila nuk kishte ujë, rrymë dhe asgjë tjetër. Bashkëshortja ime për një kohë ka punuar këtu në arsim. Ajo kohë për mua ka qenë me pa sa cmohet njeriu kur është në zorin e vet”, tha Behxheti.
Arkitekti para të pranishmëve tregoi për vështirësit jetësore por edhe ndihmën që ia kanë ofruar banorët e fshatit Bresalc.
“Atë kohë kemi mbet edhe borxh nëpër marketet e vogla që kanë qenë në fshat, kanë qenë kushtet asisoji. I kemi kalua ato kohë kush si ka mundur. Tash jemi në një situatë tjetër edhe kam vendos pas më shumë se 30 vjetëve të kthehem dhe të jetoj këtu. Nuk është se e kam mendu shumë kandidimin për kryetar. Kjo ka ardhë në mënyrë spontane mirëpo e kam marr si obligim sepse 40 vjet më parë babai im ka qenë kryetar i komunës së Gjilanit. Dua në njfarë mënyre me ia kthy atij nderin dhe pikërisht kam fillu nga Bresalci”- tha Behxheti.
Kandidati i pavarur për kryetar të Gjilanit në vitin 2020 kishte nisur iniciativën për themelimin e fondacionit humanitar “VJOSA”, me seli në Helsinki. Ky fondacion ka që qëllim mbështetjen e fëmijëve me autizëm në Kosovë duke ndihmuar në ndërtimin e 30 shtëpive me qëllim të edukimit të fëmijëve autik.