Armand Duka është rizgjedhur për herë të pestë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit pas votimit të mbajtur ditën e sotme në Asamblenë e 7 të Përgjithshme Zgjedhore. Duka ka marrë 38 vota në raundin e dytë, ndërsa rivali i tij Bashkim Fino ka marrë 24 vota, ndërsa 3 të tjera rezultuan të pavlefshme.
Në raundin e parë të votimit, asnjëri nga 3 kandidatët nuk mundi të merrte 2/3 e votave, ndërsa në votimin e dytë Armand Duka ka siguruar mbi 50% të votave duke siguruar edhe mandatin e tij të pestë, raporton Top Channel.
Në raundin e parë, Armand Duka, mori 39 vota, ndërsa Bashkim Fino ka marrë 22 vota dhe 4 vota u shpallën të pavlefshme. Asnjë votë për kandidatin tjetër Shpëtim Hala.
Asambleja zgjedhore e Federatës filloi punimet në mëngjes, në prani të 65 anëtarëve me të drejtë vote, nga 66, sepse në Asamble mungoi Bilishti.
Vëmendja e të gjithëve u përqendrua te gara për kreun e federatës, ku garonin tre kandidatë: presidenti Armand Duka, që kërkonte një mandat të pestë, deputeti socialist Bashkim Fino dhe ish-gjyqtari Shpëtim Hala.
Pas fjalës që kandidatët mbajtën përpara anëtarëve të asamblesë, ku nuk munguan akuzat e kandidatit Fino ndaj punës së deritanishme të federatës së drejtuar nga Armand Duka, u kaluar në votimin e parë, atë për kreun e federatës. Ndërsa tensionet në prag të këtij votimi ishin shumë të larta, brenda në Asamble votimi u zhvillua mjaft qetë.
Me daljen e rezultatit të dy rivalët të shtrënguan duart njëri-tjetrit, kurse Bashkim Fino e uroi Armand Dukën me fjalët “Urime”. Por kjo nuk do ta pengojë ta ankimojë çështjen në gjykatë.