Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian, është kritikuar ashpër nga opozita për ato që po i cilësohen si gënjeshtra dhe deklarata kundërthënëse për atë se pse ushtria armene nuk i përdori aeroplanët luftarakë që i bleu nga Rusia në luftën e vitin të kaluar për Nagorno-Karabakun.
Pashiniani tha në kuvend të mërkurën se nuk sheh ndonjë kundërthënie mes komenteve rreth asaj se pse Armenia nuk ka blerë raketa për aeroplanët luftarakë rusë të tipit Su-30SM dhe deklaratës së tij para lufte se këta aeroplanë i kanë testuar me sukses raketat.
Megjithatë, gjatë fundjavës ai tha se Armenia ka blerë aeroplanë luftarakë rusë në maj të vitit 2020, por nuk ka arritur të blejë raketa për ta para fillimit të luftës në Nagorno-Karabak në shtator të vitit të kaluar, shkruan Free Europe.
Ai sqaroi se për shkak që këta aeroplanë janë shumë modernë dhe të fuqishëm, “është e qartë se prodhuesit e aeroplanëve dhe raketave nuk janë kompani të njëjta”. “Me fjalë të tjera, ata nuk prodhohen në vendin e njëjtë, prandaj nuk blihen në vendin e njëjtë”, shtoi ai.
“Fatkeqësisht, gjatë luftës nuk patëm kohë t’i blejmë të gjitha ato pajisje të nevojshme, kjo do të na mundësonte që t’i përdorim aeroplanët ultramodernë, Su-30SM, për qëllimin e tyre dhe në përputhje me fuqinë e tyre”, tha kryeministri armen.
Gjatë konfliktit të armatosur me Azerbajxhanin të vitit të kaluar, Armenia e humbi kontrollin ndaj disa distrikteve që kishte deri atëherë, duke u detyruar të nënshkruante marrëveshje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia.