Armiku i Ervis Martinajt ekstradohet në Shqipëri

Prishtinë | 02 Gus 2024 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Njeriu që dyshohet se ka gisht në zhdukjen e Ervis Martinajt, Leonard Duka, është ekstraduar nga Belgjika në Shqipëri të premten, ka njoftuar Policia e Shtetit.

Leonardi, udhëheqësi i atij që njihet si klani “Duka”, u arrestua në shkurt të vitit 2023 teksa fshihej në një banesë private në një provincë të Brukselit.

Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Së bashku me gjashtë persona të tjerë, ata akuzohen si autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë ish-polici Santiago Malko, i njohur si krahu i djathtë i bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Duka në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka planifikuar edhe vrasjen e Ervis Martinajt – i cili është raportuar i zhdukur nga 9 gushti i vitit 2022. Duka gjithashtu dyshohet për organizimin e eliminimit të disa anëtarëve të grupit të Martinajt. /TCH

Të ngjashme