Opinioni publik grek shfaqet intensivisht i trazuar dhe me mëdyshje për sa i përket zhvillimeve të fundit në lidhje me Turqinë, të cilën e konsideron një fqinj armik, por një pjesë e konsiderueshme e tij shfaq thuajse të njëjtin mendim edhe për fqinjët e tjerë të Greqisë.
Në një sondazh të publikuar nga gazeta “Ethnos” e së dielës, 87% e grekëve cilësojnë Turqinë armikun numrin 1 të vendit dhe 63% shprehin frikën për mundësinë e një incidenti të “nxehtë” mes dy shteteve, raporton Tch.
Të pyetur nëse konsiderojnë shtet armik dikë prej fqinjëve, përveç Turqisë për të cilën thonë “po” shumica dërrmuese, pozitivisht i janë përgjigjur pyetjes për Shqipërinë, 47% e të intervistuarve dhe 45% për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa një pakicë e vogël prej 10% ndan të njëjtin mendim për Bullgarinë.
Ndaj pyetjes se sa gjasa ka të kërcënohet integriteti territorial nga fqinjët, për Shqipërinë janë përgjigjur “po” vetëm 27% dhe 63% “jo”. Në të njëjtat përqindje thuajse janë përgjigjet edhe për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa kur vjen fjala për Turqinë, 78% e grekeve ndjehen të kërcënuar nga fqinji lindor.
Sipas sondazhit nëse këto vende do të integrohen në BE, 56% e grekëve beson se do përmirësohet qëndrimi i Shqipërisë ndaj Greqisë dhe po ashtu edhe i Maqedonisë, ndërsa për Turqinë më shumë se 64% mendojnë se kjo nuk do të ndodhë.
Gjithashtu shtatë ndër dhjetë grekë mendojnë se diplomacia duhet të jetë mjeti kryesor i ushtrimit të politikës së jashtme, ndërkohë që 82% vlerësojnë se bashkëpunimi mes vendeve ballkanike do të përmirësojë nivelin e jetesës në rajon.