Armond Daci, fitues i çmimit në Kongresin për Shkenca Mjekësore

Prishtinë | 07 Maj 2017 | 22:29 | Nga

Sot përfundoj punimet Kongresi i shtatë ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe interesimit të profesionistëve dhe studentëve të rinjë të shkencave  mjekësore, mbi rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore. Po ashtu, ka për qëllim edukimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të profesionistëve dhe studentëve të shkencave mjekësore, duke mundësuar akumulimin e kredive të nevojshme për licencim dhe rilicencim.

Komiteti Shkencor në përbërje të Lulzim Vokrri, Kryetar dhe me anëtarë Dukagjin Sokoli, Blerim Krasniqi, Ekrem Maloku, Eglantina Kraja Bardhi, Rudina Degjoni, Eva Rroja, Albena Reshitaj, Bajram Abdullahu, Ramadan Sopi, pas vlerësimit të abstrakteve dhe prezantimeve, shpallën fitues të çmimit të parë punimin me titull “Arctigenina përmirëson tonusin vaskular dhe ulë inflamacionin në venën safena” me autor Armond Daci, dhe bashkëautorë Sh.Krasniqi, B.Neziri, G.Bereta, G.Norata, R.Cavolli, R.Alaj, Sh.Shurdhiqi, Xh. Rizani.

Me këtë rast, fituesi i çmimit të parë , Armond Daci, u shpreh : “Kiscoms është bërë një tradite si dhe është një ndër kongreset me një organizim dhe audiencë të shkelqyer. Të veçantë e bëjnë eksperiencat shkencore nga brenda dhe jashtë vendit, studentët dhe profesorët. “KISCOMS” ka qenë një ndër kongreset e para ku unë kam marrë pjesë dhe kam prezantuar punim si student, andaj e kam ndier obligim moral të rikthehem me një prezantim këtë edicion”. ( Video : https://www.youtube.com/watch?v=1bp6igX0iDQ&feature=youtu.be )

“Ky kërkim shkencor që kam prezantuar tani ka marrë edhe përmasat ndërkombëtare me pranim në revista prestigjioze të fushës në Evropë dhe SHBA, ndërsa pata nderin ta prezantoj në këtë kongres me shumë interes dhe rëndësi me qëllim që të shërbej edhe si motivim shtesë për punë kërkimore tek ne. Me eksperiencat dhe dijen që kemi marrë jashtë vendit e kemi obligim ta trashëgojmë tek gjeneratat e reja, aq sa kemi mundësi, hapësirë dhe infrastrukturë që ta realizojmë më të mirën e mundshme. Këtë projekt, këtë hulumtim eksperimental e ka ndihmuar Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë”.

Në kuadër të Kongresit ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, tashmë është bërë rregull që autori apo autorja e punimit më të vlerësuar, të jetë President-e e Kongresit të radhës. Pra, kongresi i radhës, kongresi i tetë që mbahet në muajin maj të vitit që vjen, për President do të ketë fituesin e kongresit të shtatë, Armond Daci.

Ndryshe, Armond Daci, është Asistent në Departamentin e Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Ka mbaruar studimet e doctoratës në moshën 27 vjeçare në Biomjekësi Eksperimentale (Tempus IV Grant Project “Kosovo Interdisciplinary Knowledge Triangle Cente”), ka 8 punime me Impakt Faktor në revista prestigjioze, European Journal of Pharmacology, PloS One, Biomarkers in Medicine, Journal of Neuroimmunology, The American Journal of Cardiology, Natural Product Communication, Reapiratory Physiology and Neurobiology, deri tani 39 citime dhe 10 prezantime në Konferenca Ndërkombëtare). Është shpallur shkenctar i ri i vitit 2015 nga MASHT. Vazhdon akoma studimet – PhD në Farmaci- Farmakologji në Universitetin Publik të Stambollit.

Komiteti Shkencor, me çmimin e dytë ka vlerësuar punimin “Zhvillimi i metodës diagnostike-parashikuese për përcaktimin e mbijetimit të pacientëve që i janë nënshtruar RKP, duke aplikuar analizën e spektometrisë së masës në mostrat e plazmës së pacientëve”, me autor Liridon Muqaku.

Ndërsa për poster prezantimin më të mirë u vlerësua punimi “Metodat hulumtuese për Trisomitë 13/18/21 dhe Defektet e Tubit Neural”, me autore Mumadije Luma.

Kongresi i shtatë ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, u realizua në bashkë-organizim me Ministrinë e Shëndetësisë, Universitetin e Prishtinës „Hasan Prishtina“, Universitetin e Gjakovës „Fehmi Agani“, Kolegjin e Shkencave Mjekësore „Rezonanca“, Kolegjin „Fama“, Kolegjin „Universi“, Akademinë Italiane të Nutricionit dhe Dietologjisë si dhe Institucionet tjera shtetërore, shëndetësore, arsimore e shkencore në Republikën e Kosovës.

Ky projekt ishte i akredituar nga Bordi i Edukimit në Vazhdim në Ministrinë e Shëndetësisë, me 20 kredi për pjesëmarrësit aktivë dhe 15 kredi për pjesëmarrësit pasiv.

Të ngjashme