Ish-kampioni në çiklizëm, Lance Armstrong, ka insistuar se nuk do të “ndryshonte asgjë” në lidhje me dopingun që e ndihmoi të fitojë dhe pastaj ia mori shtatë titujt në “Tour de France”, që njëherësh ishte rekord i kësaj gare të madhe.
Amerikani u suspendua përjetë nga çiklizmi në vitin 2012 përpara se të pranonte se ka përdorur doping për rritjen e performancës. Mirëpo, 47-vjeçari, në një intervistë për “NBC Sports” ka pranuar se ka “mësuar shumë prej gabimeve” të tij, përcjell Koha Ditore.
“Unë nuk do të ndryshoja asgjë. Nuk do të ndryshoja mënyrën se si kam vepruar. Nuk do t’i merrja mësimet nëse nuk do të kisha vepruar ashtu. Nuk do të hetohesha dhe sanksionohesha nëse nuk do të kisha përdorur dopingun”, është shprehur Armstrong. “Nëse vetëm do të isha dopinguar dhe nuk do të kisha thënë asgjë, asnjë prej këtyre gjërave nuk do të kishte ndodhur”.
Armstrong vazhdimisht kishte mohuar akuzat për doping pas kthimit në çiklizëm kur edhe arriti pjesën më të madhe të sukseseve. Ai iu nënshtrua trajtimit për kancer në testise, por e kaloi këtë sfidë dhe më pas ishte i pandalshëm në gara të çiklizmit.
Ai u dorëzua para presionit dhe pranoi publikisht se ka përdorur doping në një intervistë me Oprah Winfrey në janar të vitit 2013.