Ajo është shembulli më i mirë i një gruaje të fortë. Arnisa Osmani, në shtator të vitit të kaluar, ishte diagnostikuar me sëmundjen e kancerit të gjirit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ajo rrëfen përjetimet e saj, që nga moment kur kuptoi se gjendja e saj shëndetësore, nuk ishte e mirë.
Osmani, tregon se çdo gjashtë muaj, kishte bërë kontrolle te mjeku, por asnjëherë kontroll të gjirit. E një ndryshim në gjirin e majtë, e kishte bërë atë të shkojë te mjeku.
“Simptomat që më kanë dërguar te mjeku, e kom pa një ndryshim në gjirin e majtë. Ka qenë ndoshta një javë ose dy, vitin e kaluar. Kom vendos menjëherë me shku te mjeku, se përndryshe unë çdo gjashtë muaj, kam bërë kontrolle, mirëpo kontroll të gjirit nuk kam bërë që është një gabim shumë i madh”, tregon ajo.
Momenti, kur mjeku i tregon se gjendja e saj nuk është e mirë, ajo thotë se fillojë të qaj.
“Ka qenë e diele, kur kam vendos me shkua, edhe ka qenë e hënë 17 shtatori, kurë nuk e harroj, ditë kur kam shkua me u kontrollua. Dhe normal, menjëherë nuk më kanë diagnostikua, vetëm më kanë thënë që e kam një gjëndër jo të mirë, 99 për qind është e keqe, 1 për qind e mirë. Edhe unë aty veç kam mbet. Nuk më ka ardhur mirë, normal, se kujt i vjen mirë. E pash që edhe mjekja ka mbet. E pyeta doktoreshë a nuk është diçka në rregull, tha jo, është një gjëndër e keqe. Edhe mua më shkuan veç dy lot”, rrëfen Osmani.
Pas kësaj, ajo kishte bërë analiza, dhe pas rezultatit të biopsisë, mjekët kanë konstatuar se Arnisa, duhej t’i nënshtrohej intervenimit dhe të largonte gjirin.
“Kam qenë e gatshme,e përgatitur që çka do që më del përpara kom me i shkua deri në fund. Nuk është e lehtë me të than mjeku, që duhet me tu largua gjini. Por, unë kam qëlluar në mjek të mirë. Por, mjeku nuk do të thotë të jetë vetëm mjek me përfundua punën e vet edhe ditën e mirë, po duhet me qenë edhe psikolog. Nëse ti e gjen vetën te një mjek i mirë, që të jep motiv, vullnet, atëherë çdo gjë shkon më lehtë”, tha ajo.
Arnisa ishte operuar më 1 tetor të vitit të kaluar, por, për koiçidencë, 1 vit më parë, pikërisht me këtë datë, kishte postuar mesazhe kundër kancerit të gjirit.
Pas operimit, ajo duhej të pushonte pesë javë, për të vazhduar më pas me kimioterapi.
“Kur jam taku me onkologun më ka tregu të gjitha, për kimioterapinë dhe më ka njoftua që më bien edhe flokët. Mjekun e kom lut mos me marr kimioterapi, më ka thënë askush nuk po të vet po ki me marr. Gjatë seancës së parë, veç kanë fillua me më ra flokët. Nuk kom përdorë perik, e kom ble po nuk e kom përdorë, kom përdorë shalle. Seancat nuk kanë qenë të lehta, edhe pse unë i kom përballu mirë, edhe pse kanë qenë katër më të vështira, nuk kemi marr as infuzion, as limunata po është kimioterapi. Ajo të lodh si fizikisht, ashtu edhe psiçikisht”, tregon ajo.
Mirëpo, Arnisa, thotë se nuk është ndalë asnjëherë, ka vazhdua të punojë. Pas përfundimit të 8 seancave të kimioterapisë, ajo kishte shkuar në një pushim, për tu larguar nga të gjithë.
Gjendja e saj, po përmirësohej dalëngadalë. Kështu i thoshte edhe mjekja në bazë të rezultateve të analizave.
“Mjeku më ka thanë që Arnia mirë je, çdo gjë po shkon mirë, peshë normal kom fitua, dikush apetit nuk ka, unë kom pas shumë që është gjë e mirë. Ushqimi im ka qenë tepër organik, kom përdorë shumë pemë e perime, edhe mish kom hëngër, mish të kuq, mish peshku. Gjatë mesit të gushtit e kom përfundua edhe rrezatimin edhe i kam kryer analizat prapë, ku më kanë dal mirë”, u shpreh Osmani.
Arnisa, arriti të mposht kancerin e gjirit, e për këtë ajo bën apel të të gjitha gratë që asnjëherë mos të mendojnë negativisht, dhe të kenë afër vetës njerëz pozitiv, të cilët i japin vullnet e dashuri.
“Kurrë mos mendoni negativisht, sepse atëherë gjithçka ka me ju shkua keq. Besomëni. I kisha lut njerëzit që janë të afektuar, është një porosi për të afërmit e tyre të jenë afër personave të afektuar mos ti lënë vet”, thotë ajo.
Ajo madje, ka një mesazh për të gjitha gratë të cilat janë të diagnostikua me kancer gjiri.
“Kur më kanë pyet, qysh je, kjo ka qenë para se me marr analizat e biopsisë. Unë kam thënë jam si një gladiator në arenë që i ka sytë mbyllë edhe se din përpara vetës çfarë ka. Për atë kom thanë si gladiatori që është i fortë, jam edhe unë e fortë”.
“Çka do që të del përpara, ti vendos me hy në betejë. Edhe me fitua betejën se gladiatori atë qëllim e ka edhe e arrin e për fat të mirë edhe unë e arrita atë qëllim. Pra mendojeni vetën si një femër gladiator, edhe hyni në betejë deri në fund. Çfarë t’ju del përpara, pranojeni me pozitivitet. Një buzëqeshje është mbytje e një qelize të keqe, kështu që shumë buzëqeshje janë mbytje ose vrasje e shumë qelizave. Mos e humbni buzëqeshjen në fytyrën tuaj”, përfundon ajo.
Muaji tetor, në gjithë botën njihet si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.