Arrestime dhe aksione kundër kriminalitetit, Sveçla vlerëson punën e Policisë

Prishtinë | 01 Nën 2024 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Gjatë dy ditëve të fundit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë aksionesh në disa zona të vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shprehur mirënjohjen e tij për punën e jashtëzakonshme të forcave policore, të cilat kanë bërë të mundur arrestimin e gjashtë personave për fajde në Prizren dhe Suharekë, tre personave për narkotikë, si dhe një personi në Leposaviq për posedim të një arsenali armësh, municioni dhe uniformash.

Sipas ministrit, këto aksione kanë rezultuar të suksesshme falë edhe bashkëpunimit të qytetarëve, të cilët kanë treguar një nivel të lartë të aktivizmit shoqëror.

“6 të arrestuar për fajde në Prizren e Suharekë, 3 të arrestuar për narkotikë, 1 për arsenal armësh, municion e uniforma në Leposaviq e disa arrestime të personave që ishin në kërkim. Ky është bilanci i një pune të mirë e të jashtëzakonshme të Policisë së Kosovës vetëm në dy ditët e fundit.

I jam mirënjohës secilit pjesëtar policor që me përkushtim e profesionalizëm angazhohet kudo në Republikën tonë për sundim të rendit e ligjit duke bërë të mundur që qytetarët tanë të jetojnë, punojnë e zhvillohen të lirë e të sigurtë dhe larg fenomeneve kriminale që rrezikojnë jetën e tyre. Aksionet e fundit kanë dëshmuar sukses edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë e Kosovës dhe inkurajoj në vazhdimësi një aktivizëm të tillë shoqëror”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ndër të tjera ai theksoi se Policia mbetet një institucion i ndërtuar mbi vlera demokratike, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Profesionalizmi i zyrtarëve policor mbetet kyç andaj çdo veprim i tejkaluar që dëmton imazhin dhe vlerat e Policisë së Kosovës nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar. Në dy raste të ndara, si shkak i dyshimit të keqtrajtimit të qytetarëve, janë suspenduar 5 zyrtarë policor.

Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe është garanca e sundimit të rendit e ligjit për të gjithë e pa dallim. Ajo është e ngritur mbi vlera demokratike që para se gjithash respekton të drejtat e liritë e njeriut.

Do të vazhdojmë mbështetjen tonë pakursim për Policinë e Kosovës, sukseset e së cilës jo vetëm që garantojnë siguri për vendin dhe qytetarët tanë por edhe ngrisin lart Republikën tonë”, ka shtuar Sveçla.

Të ngjashme