Kalimi i qytetarëve të Kosovës nëpër Serbi, për në shtetet evropiane është bërë sfidë, pasi secili rrezikohet të arrestohet nga autoritetet serbe.
Njëjtë ndodhi edhe me Tefik Mustafën, i cili u arrestua në fillim të këtij muaji derisa po e kalonte kufirin Kosovë-Serbi, në Merdar, raporton Ekonomia Online.
Njohësit e çështjeve të sigurisë dhe të politikës në vend, thonë se veprimet e Serbisë duhet trajtuar me urgjencë, bashkë me ndihmën e shteteve evropiane dhe ShBA-së.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dritëro Arifi, arrestimet e kosovarëve në Serbi i ka quajtur kidnapime, të cilat po vazhdojnë që nga paslufta.
“Kosova është shumë vështirë të bëjë vetëm diçka në këtë, sepse Serbia po vërehet që është një shtet fashist e jo demokratik, nuk e respekton asnjë rregull, as vendor as ndërkombëtar. Kosova krejt çka mund të bëjë është që me partnerët ndërkombëtar ta bëjë një vije të kuqe që më nuk guxon t’i kidnapojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, nëse kanë shqetësime për krimet e luftës atëherë duhet ta bëjmë përmes kanaleve zyrtare të Republikës së Kosovës apo partnerëve ndërkombëtar, pra ekzistojnë një milionë mundësi për të cilat ata mund t’i shprehin nëse ka shqetësime mbi këtë çështje, kjo është më shumë politike se sa që ka të bëj me çështjen e ligjit apo krimet e luftës. Mendoj që qeveria e Kosovës duhet me urgjencë ta marr këtë rast sepse kjo po na përsëritet herë pas here dhe është e dhimbshme sepse kemi persona që ende figurojnë që mbahen në burgje pa ndonjë procedurë të rregullt. Mendoj që Kosova duhet me urgjencë ta ngris në nivelet më të larta të ndërkombëtare, BE dhe ShBA, që ky atak ndaj qytetarëve të Kosovës të përfundoj”, ka thënë Arifi.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se kjo është një formë revanshiste primitive e qeverisë së vendit fqinjë, për shkak të zbatimit të sovranitetit nga ana e Kosovës dhe shtrirjes së zbatimit të ligjit edhe në katër komunat veriore.
“Ministrja e Jashtme dhe Diasporës pati reagimin në krye me Bashkimin Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që pati një reagim dhe kërkoi ndalimin e arresteve arbitrare dhe mendoj që në këtë formë duhet të bëhet trysni mbi Serbinë që të ndalojë këto forma të arresteve arbitrare, por edhe forma tjera të diskriminimit të shqiptarëve që kalojnë transit rrugës për destinacion për perëndim që kanë aktet rrugore për Serbi. E di që para do kohësh ishte ndalimi i autobusëve në ndalim me Kroacinë pa kurrfarë justifikimi për këtë arsye mendoj që duhet të jetë reagimi më i ashpër i ndërkombëtarëve me qëllim që këto forma të ndalohen mos të flas tash edhe për çështje tjera kur shumë persona të autorizuar zyrtarë gjegjësisht edhe zëvendësdrejtori i Policisë, ndalohet dhe mbahet nga BIA, pra një shërbim inteligjent i Serbisë. Kjo tregon se në këtë formë qytetarët sa të kalojnë në pjesën tjetër në kufirin me Serbinë janë pra subjekt i trajtimeve arbitrare gjegjësisht në këtë rast arresteve, përkundër që ne me Serbinë kemi pas një marrëveshje për normalizim të integruar të kufirit, por që ajo u anashkalua, gjegjësisht nuk u respektua nga momenti i arrestimit të Gjuriqit në pjesën veriore të Kosovës, atëherë e shkeli pra urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pra veproj në kundërshtim me atë çka iu urdhërua lidhur me organizimin e tubimeve publike”, theksoi Ibishi.
Ibishi shtoi se për këtë çështje duhet një trysni më e madhe, ndërkombëtare, ngase këtu po pësojnë qytetarët e Kosovës.
“Është e pajustifikueshme që qytetarët pa kurrfarë baze të ndalohen, ashtu si thash në mënyre arbitrare dhe pa justifikim. Mendoj që kjo formë do të ketë impakt në gjithë kërkesat e trysnitë sidomos të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që më në fund të ndalet kjo, sepse shihet qartë, se kjo është një lloj revanshizmi për atë çka ligjërisht po zbatohet në pjesën veriore e që ka të bëjë me marrëveshjen dy palëshe”, theksoi ai.
Ndërkohë, edhe njohësi tjetër i sigurisë, Drizan Shala, thotë se veprimet e autoriteteve serbe ku po i arrestojnë qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi, është hakmarrje për operacionet e zhvilluara nga institucionet e sigurisë së Kosovës për identifikimin dhe djegien e agjentëve të Serbisë që vepruan në Kosovë.
“Serbia po iu hakmerret qytetarëve tanë të cilët po lëvizin përmes territorit të Serbisë në drejtim të vendeve evropiane, pra veprime të tilla kemi pasur edhe në të kaluarën edhe arrestimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të policisë nga komuniteti serb. Pra të gjitha këto janë veprime që mbrapa tyre qëndron Aleksandër Vulini i cili i ka specialitet veprimet e tilla duke e shfrytëzuar BIA-n. Sa i përket çështjes së ndalimit edhe departamenti i shtetit amerikan ka reaguar duke i bërë apel Serbisë që të jetë e kujdesshme sa i përket mbarëvajtjes së procesit të ketë një proces fer dhe transparent por që veprimet tilla nuk do të ndalen. Tanimë është e qartë që Serbia do të vazhdoj tutje dhe të përçojë mesazh në drejtim të institucioneve të Kosovës. Kjo çështje tanimë është e diskutuar dhe është një marrëveshje në Bruksel për lëvizje të lirë që e kanë obligim edhe Kosova edhe Serbia ta zbatojnë për qytetarët e dy vendeve”, tha Shala.
Tefik Mustafa, u arrestua me 1 qershor nga policia e Serbisë në pikën kufitare në Merdar, nën akuzat për gjoja krime lufte kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.