Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten nuk i ka caktuar paraburgim sipas kërkesës së Prokurorisë kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj por i ka caktuar atij masën e sigurisë, paraqitje në stacion policor.
Kryetari i PSD-së, Molliqaj ishte arrestuar të martën mbrëma nga Policia e Kosovës derisa po shkonte në një debat televiziv.
Ai ishte ndaluar nga disa pjesëtarë të policisë, të cilët e kanë futur në veturë pasi kishte goditur shuplakë një pjesëtar të Policisë së Kosovës në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës që është mbajtur të shtunën, më 29 janar.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit të datës 02.02.2022 kundër të pandehurit D.M. e ka refuzuar si të pa bazuar dhe ndaj të njëjtit ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili u lirua të enjten nga mbajtja në arrest, ka treguar se çfarë u kërkoi policëve të cilët e arrestuan.
Ai tha se ai u arrestua pa fletë-arrest.
“Sapo kam zbritur nga vetura, unë kam thënë a keni dokument që po më arrestoni. Me një moment policia është ndal pas disa sekondash, nuk e di sa, ndoshta 30, policia më ka thënë se ‘nuk kemi dokument për arrestim”, por hajde se je i arrestuar. Ajo ka qenë kërkesa ime kryesore”, tha ai.
Molliqaj në një postim në Facebook ka paralajmëruar protesta tjera dhe tubime, teksa thotë se Qeveria e Kosovës ka nisur të tërhiqet pas protestës kundër shtrenjtimit të rrymës.
Përmes një postimi në Facebook, Molliqaj tha se jashtë Qeverisë ka qytetarë që përherë do të jenë aktiv.
“Faleminderit për solidaritetin e madh që treguat ndaj meje. Insistimi juaj na i solli dy fitore për një kohë shumë të shkurtër. Ju protestuat masivisht kundër shtrenjtimit të rrymës. Dhe qeveria ka nisur tërheqjen. Ju reaguat masivisht me indinjim, jo thjeshtë kundër marrjes peng që më bëri policia mua, por kundër praktikës së persekutimit nga pushteti autoritar ndaj kujtdo që mendon ndryshe. Dhe pushteti u tërhoq”, ka shkruar Molliqaj.
Tutje, ai shton: “Ashtu siç e thash në protestë, po e them edhe sonte: brenda qeverisë e kemi një frikacak që vetja i duket supermen. E ky është lloji më i rrezikshëm i politikanëve”.
“Por ashtu siç e thash në protestë, po e them edhe sonte: jashtë qeverisë kemi qytetarë përherë e më aktiv, që nuk do të ndalen së protestuari kundër pabarazisë e padrejtësisë. Faleminderit, e shihemi shpejt nëpër tubimet e protestat e radhës”.