Hetuesit rusë kanë thënë se kanë bastisur një apertament në Shën Petersburg, ku një numër i paspecifikuar i shtetasve të Azisë Qendrore, raportohet se kanë qenë në kontakt me sulmuesin kryesor të metrosë, Akbarjon Jalilov.
Zëdhënësja e Komitetit Hetues rus, Svetlana Petronko, ka njoftuar se 6 persona janë arrestuar në Shën Petersburg dhe 2 të tjerë në Moskë, nën dyshimin se kanë lidhje me sulmin e 3 prillit, ku u vranë 14 persona, përfshirë edhe sulmuesin e dyshuar vetëvrasës.
Emrat dhe kombësia e të arrestuarve nuk janë bërë publike.
Në deklaratën e Komitetit, thuhet se forcat e sigurisë kanë bastisur një apartament në Shën Petersburg, ku kanë gjetur një bombë, armë zjarri dhe municion. Bomba thuhet se është “identike” me atë që është gjetur në stacionin e metrosë Ploshchat Vosstania, një ditë pas sulmit vdekjeprurës.
Askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin në metronë në Shën Petersburg.