Dy persona u kapën gjatë sulmit të ushtrisë amerikane në vendndodhjen e Abu Bakr al-Baghdadit, liderit të grupit militant Shteti Islamik, bëri të ditur Pentagoni.
Udhëheqësi i shefave të shtabeve të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, tha se ata ndodhen në paraburgim në SHBA.
Forcat speciale amerikane sulmuan lokacionin e Al-Baghdadit në veriperëndim të Sirisë, më 26 tetor.
Al-Baghdadi e vrau veten gjatë sulmit, tha ushtria amerikane.
“Mbetjet e Al-Baghdadit janë transportuar në një objekt të sigurt për të konfirmuar identitetin e tij me testimin mjeko-ligjor të ADN-së”, tha Milley.
Milley – oficeri më i lartë i ushtrisë amerikane – tha se nuk ka plane për publikimin e pamjeve nga vrasja e Al-Baghdadit, përcjell rel.
Ai tha se fotografitë dhe videot po kalojnë një “proces deklasifikimi”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më herët se disa xhirime nga sulmi mund të publikohen.
Më shumë detaje për dy personat e arrestuar nuk u dhanë.
Al-Baghdadi vdiq nga shpërthimi i një jeleku vetëvrasës, derisa ikte nëpër një tunel dhe ndiqej nga qentë e ushtrisë amerikane, tha presidenti Trump të dielën.
Pentagoni tha se askush nga personeli amerikan nuk është vrarë në sulm, ndërsa një prej qenve që ka ndjekur Al-Baghdadin, është plagosur.