Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në Kamenicë, ku Policia ka ndalur një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Sinjali mëson se pas kontrollit të dy personave, zyrtarët policorë kanë gjetur mbi 20 qese me substancë narkotike, të llojit marihuanë, që dyshohet se ishte përgatitur për shitje.
Pas përfundimit të kontrollit policor, droga është sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe inicimin e rastit ndaj tyre për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.