Njësitit Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, sot ka arrit të sigurojë informata në lidhje me aktivitetin kriminal, ku dyshohet se personat e dyshuar me iniciale: I. A. (Pronar i një kompanie), L. S. (Punëtor në Call-Center) dhe H. M. (Punëtore në Call-Center) kanë arritur që përmes vjedhjeve të shërbimeve dhe njëkohësisht duke cenuar të drejtat e autorit, përmes veprimtarisë se pandërgjegjshme ekonomike i kanë shkaktuar një kompanie tjetër (kompani e licencuar për shpërndarjen e rrjetit televiziv) dëme materiale, duke shitur të drejtat e tyre pa ndonjë marrëveshje paraprake me të njëjtit, tek klientët (qytetarët) të cilët i kanë kontaktuar paraprakisht në forma të ndryshme.
Hetuesit policor të Njësitit Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas ndërmarrjes së veprime të nevojshme hetimore dhe operative kanë siguruar dëshmi dhe informacione tjera relevante për personat e dyshuar dhe dëmet e shkaktuara.
Hetuesit kanë siguruar prezencën e personave të dyshuar të cilët janë intervistuar dhe mbi bazën e këtyre dëshmive është krijuar dyshimi se:
“Më këto veprime, të dyshuarit me iniciale(I.A., L.S. dhe H.M.), dyshohet se kanë kryer veprat penale:
“Vjedhja e Shërbimeve” nga neni 314, “Veprimtari e pandërgjegjshme ekonomike” nga neni 279 dhe “Cenimi i të drejtave të autorit” nga neni 290, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, njofton policia.
Andaj sot, në konsultim dhe koordinim me Prokurorin Kujdestar nga Prokuroria kompetente, i dyshuari (I. A.) është shoqëruar në polici dhe nga aty me Vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Përderisa, dy të dyshuarit tjerë (L.S.) dhe (H.M.), pasi që janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar, të njëjtit me urdhër të Prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.