Janë arrestuar nga policia spanjolle katër shqiptarë nga Kosova.
Ata akuzohen për grabitjen e disa banesave luksoze në vitet e fundit.
Arrestimi i tyre u bë në kuadër të operacionit “Rinia”.
Hetimet për këtë grup kishin filluar më herët pasi ishin raportuar disa vjedhje në zonën qendrore të Madridit.
Disa nga pronarët e këtyre banesave ishin futbollistë të skuadrave të njohura spanjolle, Real Madrid dhe Atletico, shkruan Ora News përcjellë Klan Kosova.
“Autoritetet thanë se karaktestikë e grupit ishte qëndrimi vetëm 1 muaj në Spanjë, ndërsa më pas largoheshin në vendet e origjinës ku dyshohet se zhvillonin të njëjtën veprimtari kriminale. Për shkak të ndërrimit të shpeshtë të shtëpive, automjeteve dhe numrave të kontaktit, autoritetet hasnin vështirësi në gjurmimin e lëvizjeve të tyre “- theksojnë autoritetet policore në Spanjë.
Mësohet se autorët bashkëpunonin me një argjendar në Madrid me të cilin shkëmbenin stolitë dhe objektet e vjedhura me një sasi floriri.
Gjatë operacionit të arrestimit u sekuestruan tetë makina makina luksoze, pajisje për kryerjen e grabitjeve, argjendurina, para dhe peshore elektronike.
Një nga krerët e bandës mendohet të jetë shqiptar i njohur nga autoritetet edhe në vitin 2007 për vjedhjen me dhunë të një biznesmeni dhe producenti spanjoll.