Njësitë e Policisë të rajonit të Prishtinë gjatë ditës së martë në pesë raste të ndara ka konfiskuar armë zjarri dhe ka arrestuar pese persona.
Armët e zjarrit janë gjetur dhe konfiskuar në katër automjete të ndryshme, nga Njësiti i Reagimit të Shpejtë, gjatë një aksioni të kontrollit rutinë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.
Ndërsa një shkrepëse në formë të revoles është konfiskuar në oborrin e një shkolle në Fushë Kosovë.
Ndaj të gjithë personave të dyshuar, janë iniciuar rastet mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armeve, dhe katër prej tyre pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri nga të dyshuarit është dërguar në qendrën e mbajtjes.
Vetëm në nëntë mujorin e parë të vitit 2018, nga njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë janë konfiskuar 337 armë, 3229 municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, dhe janë iniciuar 292 raste Mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.