Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se policia e Novi Sadit ka arrestuar katër persona të dyshuar për sulm ndaj dy të rinjve shqiptarë, të cilët janë rrahur në natën midis së shtunës dhe të dielës në këtë qytet.
“Policia, pas hetimeve intensive disaorëshe, i ka identifikuar të gjithë sulmuesit që kanë rrahur dy të rinjtë dhe ka arrestuar katër të dyshuar për këtë vepër penale”, tha Stefanoviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Stefanoviq tha se, “edhe pse hetimet e deritashme, përfshirë bisedat me të dyshuarit dhe njërin prej viktimave, tregojnë se indicenti nuk është nxitur në baza kombëtare, policia do t’i hetojë të gjitha akuzat në detaje dhe do të vijë deri tek e vërteta”.
Njëri nga të rinjtë që është rrahur dhe plagosur keq, është operuar në Qendrën Klinike të Vojvodinës dhe gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile.
Sulmin e dënuan presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Qeveria e Vojvodinës, parti të opozitës dhe organizata joqeveritare.
Policia e Novi Sadit tha se të arrestuarit janë V. R. (22), D. R. (23), M. Z. (19) dhe J. P. (24) dhe se ata akuzohen për sjellje të dhunshme dhe shkaktim të plagëve të rënda trupore.
Atyre iu caktua masa e paraburgimit prej 48 orësh, pas së cilës do të dërgohen në prokurorinë kompetente në Novi Sad.