Arrestohen tre persona, dyshohen për kurdisje të ndeshjeve në basketboll

Prishtinë | 30 Qer 2023 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të cilët dyshohet se janë të përfshirë në kurdisjen e ndeshjeve basketbollistike.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, i cili tha se operacionet policore deri më tani kanë rezultuar të suksesshme.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar”, tha Kelani për Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se pas përfundimit të operacioneve do të bëhen të ditura shtesë.

Në lidhje me arrestimet ka reaguar edhe Federata e Basketbollit të Kosovës, ku thanë se po bashkëpunojnë ngushtë me institucionet dhe organet e rendit.

“Ne e kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive të themeluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur. Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të apostrofuar, gjithë kohën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me FIBA”, thuhet në reagim.

MË tej, FBK-ja tha se e mirëpret vendimin e organeve të rendit dhe se presin zgjidhje sa më të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të përfshirë në ngjarje.

“Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona”, thuhet në reagim.

Të ngjashme