Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë në Dragash, pasi u kapën në flagrancë brenda një fabrike jashtë funksionit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 4 gushtit, rreth orës 21:00, kur patrullat e Stacionit Policor në Dragash dhe njësitë kufitare reaguan menjëherë pas informacionit për një vjedhje në zhvillim.
I dyshuari i parë u arrestua rreth orës 22:30 brenda objektit, ndërsa rreth 15 minuta më vonë u arrestuan edhe dy të dyshuarit e tjerë.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi mjete të përdorura për kryerjen e vjedhjes, përfshirë dorëza, fleks, bateri, sharrë metalike, si dhe një automjet që dyshohet se ishte përdorur nga autorët.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, tre të dyshuarit, të moshës 36, 37 dhe 38 vjeç, janë ndaluar për 48 orë. Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rastin dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit lidhen edhe me vepra të tjera të ngjashme.