Arrestohen tre të dyshuar për pastrim parash në Drenas

Prishtinë | 27 Maj 2021 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas zhvillimeve të hetimeve paraprake, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, sot kanë kryer kontrolle në shtëpi banimi në Drenas.

Siç bëhet e ditur, hetimet dhe më pas kontrolli janë kryer mbi dyshimet se personat e dyshuar A.N. mashkull (1992) dhe E.N. femër, (1999) në bashkëveprim gjatë periudhës 27.02.2021-11.03.2021, dyshohet se kanë vënë në qarkullim kartëmonedha me ngjyrë me reagenca kimike në vlerë të përgjithshme 5900 euro.

Dy të dyshuarit paratë dyshohet se i kanë vënë në qarkullim duke i deponuar në bankomatet e një banke dhe më pas i kanë tërhequr vlerat e njëjta të parave të cilat kanë qenë të rregullta.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit të dyshuar është arritur të gjenden edhe tri kartëmonedha nga 50 euro (3×50) me ngjyrë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave e materiale.

Gjatë intervistimit të dy të dyshuarve është kuptuar se mjete monetare të cilat i kanë vënë në qarkullim i kanë marrë nga i dyshuari B.N., mashkull (1971), i cili po ashtu është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës.

Pas intervistimit ndaj të dyshuarit B.N prokurori i rastit ka shqiptuar masën e ndalimit 48 orë, ndërsa ndaj dy të dyshuarve tjerë rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Të ngjashme