Tre të mitur janë arrestuar sot në Mitrovicë për shkak se dyshohen se kanë kryer vjedhje të rënda.
Arrestimi i tre personave të dyshuarve të moshës së mitur, është bërë mbi dyshimet e arsyeshme dhe provave të siguruara për bashkëveprim në kryerje të tri veprave penale të vjedhjeve, që ishin raportuar dy javë më parë në Mitrovicë, ku cak i këtyre vjedhjeve ishin pjesë të automjeteve.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se tek të dyshuarit janë gjetur mjete me të cilat të dyshuarit kanë kryer veprat penale.
“Në Mitrovicë arrestohen tre persona të dyshuar për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’ Hetuesit policorë në kuadër të Stacionit Policor ‘Jugu’ në Mitrovicë, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë tre persona të dyshuar për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’. Në cilësi të provave materiale tek të dyshuarit janë gjetur mjete me të cilat të dyshuarit kanë kryer veprat penale. Ndërsa pas procedurave të nevojshme intervistuese, nga ana e prokurorit të rastit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, tha Zahiti.