Arrestohet 32 vjeçari në Skenderaj, organizonte lojëra fati në bodrumin e shtëpisë

Prishtinë | 01 Maj 2022 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në Skenderaj, në orët e para të së dieles, ka realizuar një kontroll në një shtëpi dhe në objektet përcjellëse të saj, ku në bodrumin e kësaj shtëpie, janë hasur gjashtë persona duke luajtur bixhoz.

Këta persona, në tavolinën e tyre kishin 294 çipa për lojëra fati, tri palë letra bixhozi dhe një fletore xhepi për mbajtjen e evidencës së lojërave të fatit.

Përveç shtëpisë dhe objekteve përcjellëse, Policia e Kosovës ka kontrolluar shtatë automjete që ndodheshin në oborrin e shtëpisë, ku në njërën prej veturave është gjetur një sprej kimik dhe një shufër gome, të cilat do të procesohen si prova materiale.

“Lidhur me rastin, në cilësi të dyshuarit është arrestuar pronari i shtëpisë B.SH., 32 vjeçar dhe pronari i automjetit S.B., 23 vjeçar, te dy shtetas të Republikës së Kosovës“, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas procedurës së intervistimit, ndaj pronarit të shtëpisë është iniciuar rasti për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa ndaj pronarit të automjetit është iniciuar rasti: “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.

Me urdhër të prokurorit të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Të ngjashme