Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, pas një hetimi intensiv, me datën 3 shtator 2019, ka identifikuar dhe ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘grabitje’.
“Arrestimi i të dyshuarit N. B., 40 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është bërë mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme dhe provave materiale të siguruara për përfshirje në veprën penale ‘grabitje’ të ndodhur me datën 24 qershor 2019, në Mitrovicë.
Rrjedha hetimore ka rezultuar me domosdoshmërinë e realizimit të dy bastisjeve në dy lokacione të ndryshme, ku si rezultat i bastisjes janë gjetur dhe janë sekuestruar prova materiale që i ishin grabitur viktimës. Në kërkim policor mbetet edhe një person tjetër i dyshuar, identiteti i të cilit është i njohur për hetuesit policorë”, thuhet në njoftimin për media.
Pas procedurave të nevojshme intervistuese, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.