Të paktën 5 persona u vranë e më shumë se 40 të tjerë mbetën të plagosur pasi një automjet u përplas me shpejtësi të lartë, me turmën që merrte pjesë në një paradë festive në qytezën e Waukesha, në Uiskonsin. Video të xhiruara në momentin e ngjarjes tregojnë një automjet të tipit SUV, i cili hyn përmes paradës së Krishtlindjeve, rreth orës 16 e 40 me orën lokale. Autoritet thanë se mes viktimave ka edhe fëmijë.
“Automjeti goditi dhjetëra persona. Disa prej tyre, ishin fëmijë dhe ka gjithashtu 5 viktima”, tha shefi i Policisë Daniel Thompson.
Një person u arrestua nga policia, i dyshuar si drejtues i automjetit. Sipas mediave, bëhet fjalë për 39-vjeçarin Darrell Edëard Brooks Jr, qytetar afro-amerikan, autor i një sërë krimeve të mëparshme që sapo kishte dalë nga burgu.
Një zyrtar i cituar nga BBC thotë se për momentin, nuk ka prova që të sugjerojnë se bëhet fjalë për një akt terrorist. Automjeti i kuq, sipas disa dëshmitarëve, rriti shpejtësinë pas një bande shkollore duke shkaktuar skena paniku, me njerëz që bërtisnin dhe vraponin, raporton a2news.
“Fillimisht, nuk po kuptonim se çfarë po ndodhte. Pashë njerëz që vraponin dhe dëgjuam ulërima. Pasi u afrova pashë se shumë persona ishin shtrirë përdhe. Ndalova së xhiruari pasi ishte shumë e dhimbshme të shihje njerëz të përgjakur që bërtisnin nga tmerri”, tha një banor.
Parada e Krishtlindjeve në këtë qytet mbahet që prej 59 vitesh, gjithmonë të dielën para Ditës së Falënderimeve dhe organizohet nga Dhoma e Tregtisë së qytetit.